Barcelona mori një fitore të vuajtur 3-2 Almerias në La Liga. Në stadiumin “Lluis Companys” katalanasit iu rikthyen sukseseve në kampionat, ndërsa shfrytëzuan më së miri goditjet e këndit.
Avantazhi për skuadrën e Xavit erdhi në minutën e 33 nga Rafinja. Miqtë barazuan në të 41 me Baptisaon. Blaugranët kërcënuan me Ferran Torres dhe Levandovskin, por golin e dytë e shënoi Sergio Roberto në minutën e 60-të.
11 minuta më pas, Gonzales befasoi sërish vendasit duke barazuar rezultatin. Buzëqeshjen për tifozët e risolli Sergio Roberto që shënoi golin e fitores. Në fund, la shenjën e tij dhe portieri i Barçës Inaki Pena. Në fund të takimit, trajneri Xavi Hernandez nuk u shfaq i kënaqur
‘Pjesa e parë është e papranueshme, na mungonte agresiviteti, intensiteti dhe këtë ua thashë lojtarëve! Nëse na mungon efektiviteti, duhet të kemi shpirt. Në pjesën e dytë ishte një ekip tjetër! Ose do të japim gjithçka nga vetja, ose nuk do të fitojmë asgjë. Nëse nuk na vjen nëpërmjet lojës, duhet të na vijë nëpërmjet shpirtit tonë’, u shpreh trajneri i Barcelonës.
Në sfidat e tjera, Atletik Bilbao vazhdon me serinë e rezultateve pozitive, ndërsa mundi 1-0 Las plamas. Fitore mori edhe Villareal, që mposhti 3-2 Selta Vigon.