Partia Demokratike zyrtare do të regjistrohet në zgjedhjet elektorale të 14 majit. Vendimi është marrë ditën e sotme, që do të thotë se Enkelejd Alibeaj do ta përfaqësojë atë si kryetar edhe në fletën e votimit të 14 majit.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi me 4 vota pro e 1 kundër Ilirjan Celibashin që kishte refuzuar regjistrimin e PD më firmën e Alibeajt në deklaratën solemne, duke vënë kusht nënshkrimin e Lulzim Bashës.
Pas këtij vendimi, ka ardhur edhe reagimi i Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi, që thanë se KAS ka marrë vendimin e duhur.
‘Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese. Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës.’- shkruan Alibeaj.
“Qokat politike nuk e kanë të gjatë kur bëhen në kurriz të ligjit. Ilirjan Celibashi është “nongrata” për PD dhe nuk gëzon asnjë besim për administrim të paanshëm, profesional dhe ligjor të zgjedhjeve të 14 Maj. Zvarritja 10 ditore në shkelje të ligjit ka cënuar rëndë zgjedhjet”, tha Bardhi.
Tashmë KQZ do të flasë edhe për koalicionin “Bashkë fitojmë” të Metës dhe Berishës.