Futbollistët e kombëtares angleze u takuan me punëtorët emigrantë, që u angazhuan në ndërtimin e infrastrukturës së Kupës së Botës. Kapiteni Harry Kane dhe lojtarë të tjerë luajtën një ndeshje me punëtorët, të cilët ishin tepër entuziast për këtë ngjarje. Më pas, anglezët firmosën edhe fanella, e gjithashtu u dhuruan atyre bileta për takimin e parë të Anglisë ndaj Iranit në kampionatin botëror.
Mes tyre pati edhe një bisedë ku punëtorët u pyetën për zhvillimet në muajt e fundit. Autoritetet e Katarit kanë marrë kritika të shumta nga kombëtare të tjera e persona publikë, se kanë shfrytëzuar një numër të madh emigrantësh të angazhuar për projektet e eventit, e gjithashtu nuk kanë bërë aq sa duhet për të shmangur incidentet në kantieret e ndërtimit, që kanë sjellë edhe viktima.
Sipas qeverisë së vendit arab, sistemi i punës vazhdon që të përmirësohet, ndërsa ka hedhur poshtë akuzat për shfrytëzim të njerëzve. Autoritetet informuan se që kur Katarit iu dha e drejta për të organizuar Kupën e Botës, janë miratuar ligje të reja që u ofrojnë punëtorëve mbrojtje më të madhe në punë./ Klan News