Partizani e nisi me këmbë të mbarë aventurën në Kupat e Europës. Barazimi 1-1 përballë një kundërshtari si Bate Borisov, që është në mesin e sezonit shërbeu që skuadra e Zoran Zekiç të ketë akoma dhe më shumë besim për të kaluar në turin e dytë të Champions League. Reagimi pas golit të pësuar ishte fenomenal, aq më tepër edhe mënyra e shënimit të golit, që duket se është skenë e punuar shumë nga stafi i trajnerit kroat.
Dominimi i të kuqve ishte i dukshëm në fushën e lojës. Në 15 tentativa, 7 përfunduan në portë dhe një në rrjetë, teksa kontrolluan për 58% të kohës topin. Partizani është e detyruar të fitojë duelin e kthimit në Hungari për të garantuar kalimin në turin e dytë.
Një hap drejt këtij raundi hodhën kampionët e Kosovës, Ballkani. Ekipi i Ilir Dajës tregoi forcë në ‘Fadil Vokrri’, ku triumfuan 2-0 përballë Ludogorets. Suharekasit shënuan nga një gol për secilën pjesë dhe shkojnë në takimin e kthimit me moral të plotë. Ballkanit i mjafton edhe një humbje minimale me diferencën e një goli në kthim për të kaluar më tej.
Rezultat pozitiv shënoi edhe Struga. Kampionët e Maqedonisë së Veriut ndalën në barazim 0-0 Zalgiris në transfertë. Ekipi i teknikut Shpëtim Duro ishte i konsoliduar në fushën e lojës, duke mbajtur të paprekur portën dhe shpresuar tek kalimi në turin e dytë të Champions League.