Juventus do të mbetet në krye të renditjes së Serie A të paktën deri mbrëmjen e së dielës. Bardhezinjtë parakaluan Interin, pas fitores me tepër vështirësi, 2-1 në transfertën e Monza. Skuadra e Massimiliano Allegri ishte dominuese në fushën e lojës dhe rastet e krijuara sollën fitimin e një penalltie.
Nga 11 metra larg, Vlahoviç gaboi, për tu neutralizuar nga portieri vendas. Në zhvillimin e goditjes së këndit, ishte Rabiot ai që realizoi me kokë për të zhbllokuar kështu takimin. Mesfushori francez ngjitet në kuotën e 13 golave në dy sezonet e fundit, duke u barazuar me Felipe Anderson si lojtarët më rezultativ të këtij reparti.
Në minutat shtesë erdhi edhe reagimi i Monzës, që kishte nën kontroll topin, por rastet për shënim i munguan. Karboni realizoi në të dytën shtesë, për të krijuar iluzionin e një pike për Monzën. Gjithsesi, Juventus gjeti forcën për të shënuar edhe golin e fitores, me autor mbrojtësin Gati. Fitorja e shtatë në 9 ndeshjet e fundit, ku bardhezinjtë nuk kanë pësuar humbje, duke qenë kandidat potencial për titullin kampion.