Fitorja 1-0 ndaj Romës ishte antipasta më e mirë në fund të vitit 2023 për Juventusin. Bardhezinjtë arritën që të merrnin maksimumin në një duel aspak të lehtë për ta. Përballë një ekipi si Roma, ku Jose Mourinho minimizoi hapësirat në prapavijë, bardhezinjtë morën atë që dëshironin.
Një fitore minimale, e cila shoqërohet edhe me rekorde për skuadrën e teknikut, Massimiliano Allegri. Rabiot ishte heroi për bardhezinjtë. Francezi shënoi golin numër 14, duke përfshirë këtu edhe sezonin e kaluar për të qenë mesfushori që shënon më shumë në Itali gjatë kësaj periudhe.
Torinezët kanë fituar 12 ndeshje gjatë 2023 me rezultatin 1-0. Shifra të cilat tregojnë cinizmin e Juventusit në fushën e lojës, pasi e bëjnë një gjë të tillë 4 herë më shumë se çdo ekip tjetër në këtë periudhë në Serie A italiane. Mbi të gjitha, Juventus nuk pëson, për ta mbajtur portën të paprekur në 20 ndeshje gjatë 2023.
Krahasuar me 5 kampionatet kryesore të Europës, Juventus qëndron në vendin e tretë në këtë renditje speciale, me Barcelonën që nuk ka pësuar në 22 takime, ndërsa Interi në 21. Me këtë 3 pikësh, skuadra e Allegri ngjitet në kuotën e 43 pikëve për të ngushtuar në 2 pikë distancat me Interin kryesues.
Dy ekipet konfirmojnë kështu pretendimet për titullin kampion, pasi Milani ndjekës qëndron në 9 pikë pas Interit dhe 7 nga Juventusi.