Mbrojtësi spanjoll Jordi Alba do t’i bashkohet Lionel Messi-t tek Inter Miami. Jorge Mas, presidenti i klubit të Major League Soccer tha se skuadra do të përforcohet me ish-mbrojtësin e Barcelonës.
34-vjeçari vendosi që të largohej nga Barcelona me përfundimin e sezonit, ku luajti 450 ndeshje me blaugranat fitoi Ligën e Kampionëve në 2015, gjashtë tituj të La Ligës, pesë tituj të Copa del Rey, katër Superkupa spanjolle dhe Kupën e Botës për Klube.
Alba gjithashtu ka luajtur në 90 ndeshje me përfaqësuesen spanjolle. Tek Inter Miami ai do të gjejë Leo Mesin dhe Serxho Buskets, me të cilët ka arritur shumë suksese te blaugranat.
Mas tha se futbollisti ka nënshkruar kontratën dhe do të mbërrijë në Miami brenda pak ditësh e do të jetë në dispozicion të trajnerit Gerardo Martino.
Klubi nga Florida po punon që të firmosë me një tjetër ish-lojtar të katalanasve, Luis Suarez, i cili aktualisht është pjesë e Gremios në Brazil.
Bashkëpronari tha se bisedimet kishin ndodhur, por ai respekton faktin që uruguaiani është në pronësi të një tjetër klubi.