Një restorant i ri në Londër është bërë destinacioni i fundit i kuzhinës për të pasurit dhe të famshmit e planetit, të cilët duhet të rezervojnë një tryezë të paktën tre muaj përpara dhe duhet të jenë të gatshëm të paguajnë një pasuri për të shijuar pjata të mira dhe verëra të shkëlqyera nga vreshtat më të shtrenjta.
Bëhet fjalë për restorantin Bacchanalia, i cili është konsideruar si më i shtrenjti në botë.
Sa për emrin e tempullit të ri kulinar, ai është huazuar nga Bacchanials, festivalet e famshme dionisiane të Romës së Lashtë, ku banketet e pasura gjithmonë përfundonin në mizori. Kering shpenzoi 75 milion £ për të ndërtuar këtë hapësirë.
Salla qendrore, e nënshkruar nga arkitekti i famshëm Martin Brudnizki dhe e krijuar nën mbikqyrjen personale të pronarit, është stolisur me pesë statuja madhështore të Damien Hirst dhe një seri veprash mbresëlënëse 2,000 vjeçare greke dhe romake. Të gjitha veprat janë autentike, janë blerë nga ankandet e Sotheby’s dhe i përkasin koleksionit personal të Riçard Kering. Qendra e dhomës dominohet nga piktura e artistit britanik Gary Myatt, “Romans in Their Decline”, e cila shtrihet nga dyshemeja në tavan.
Po aq luksoze janë edhe pjesët e tjera të restorantit. Perënditë dhe perëndeshat greke tregojnë historinë e Kopshtit Hesperides në tualetet e grave, ndërsa tualetet e burrave zhytin vizitorët në mbretërinë e Hadesit.