Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të vizitojë sot Mbretërinë e Bashkuar. Kjo do të jetë vizita e parë e tij në këtë shtet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës një vit më parë.
Zyra e kryeministrit britanik, Rishi Sunak tha se lideri ukrainas do të zhvillojë takime me të dhe do të mbajë një fjalim në Parlament. Qeveria britanike, po ashtu, njoftoi se trajnimi që u bën forcave ukrainase do të zgjerohet dhe në trajnime do të përfshihen edhe pilotët e avionëve luftarakë dhe marinsat.
“Vizita e presidentit Zelensky në Mbretërinë e Bashkuar është dëshmi e kurajës së shtetit të tij, vendosmërisë dhe luftës dhe është testament i miqësisë së pathyeshme mes dy shteteve tona”, citohet të ketë thënë Sunak.
Gjatë kësaj vizite, Britania po ashtu do të njoftojë për sanksione të reja që shënjestrojnë individë dhe kompani “që po përfitojnë nga makineria e luftës së Kremlinit”.