Në kohët e sotme, industria e produkteve shtazore dhe fermerët në shumë raste injektojnë antibiotikë të ndryshëm tek kafshët. Kjo bëhet jo vetëm për të shmangur sëmundjet, por edhe për të nxitur rritjen e tyre të shpejtë.
Këto medikamente stimulojnë oreksin dhe kafshët shtojnë shumë në peshë, duke anashkaluar fazat normale të rritjes.
Praktika e injektimit të antibiotikëve nisi të zbatohej në fillim të viteve 50’, kur fermerët në botë kuptuan se gjedhët shtonin shumë në peshë pas trajtimit me ilaçe. Edhe pse jo të gjithë fermerët në Shqipëri e përdorin, kjo praktikë nxjerr në pah dy shqetësime shumë të rëndësishme për shëndetin.
Shqetësimi i parë ka të bëjë me rritjen e asaj që njihet si rezistenca ndaj antibiotikëve. I dyti është se antibiotikët e përdorur tek mishi ka të njëjtin ndikim edhe tek njeriu që e ha atë. Sipas studimeve, antibiotikët tek ushqimi shkatërrojnë florën bakteriale në stomak.
Ato prishin ekuilibrat e mikroorganizmave në sistemin tretës të njeriut. Në këtë mënyrë tretja e ushqimit tjetërsohet dhe bën që njeriu të përthithë më shumë kalori seç duhet.
Faktorë të tjerë të mbipeshës
Ushqimet e shpejta, stili pasiv i të jetuarit e shumë të tjera janë faktorë kontribues në shtimin në peshë të njeriut. Niveli i antibiotikëve që po përdoret në ushqimin që ne konsumojmë është gjithnjë në rritje. Të dhënat tregojnë se për sa kohë këto antibiotikë nxisin shtimin në peshë tek kafshët, mbetjet e tyre tek mishi do të kenë të njëjtin ndikim tek njeriu.
Cila është zgjidhja?
Autoritetet e shëndetit të shumë vendeve të zhvilluara po i drejtohen industrive përkatëse ngadalësimin e përdorimit të antibiotikëve. Sipas informacioneve, Kanadaja nga ana tjetër është treguar më drastike duke vënë kufizime të mëdha në sasitë e shitura të antibiotikëve nga veterinerët. Kjo nismë është e vështirë të aplikohet në mbarë botën për shkak të pushtetit të madh të industrisë farmaceutike dhe asaj të përpunimit të mishit.
Edhe pse janë politikat shtetërore ato që duhet të funksionojnë, zgjidhja qëndron shumë edhe tek konsumatori, thonë ekspertët. Nëse blerësi refuzon të blejë mish të gjedhëve të rritur me antibiotikë, do të krijohet një efekt zinxhir që do të detyrojë industrinë të ndryshojë standardet e prodhimit. Konsumatori duhet të sigurohet mirë për mishin që blen. Të mos blejë në vendet e tregëtimit të papërshtatshëm dhe të zgjedhë mish të çertifikuar. Kjo duhet bërë për hir të shëndetit.