Roberto Mancini ka akuzuar presidentin e Federatës italiane të futbollit, Gabriele Gravina se e detyroi që të largohej nga detyra e trajnerit të kombëtares. Në intervistat për mediat italiane, 58-vjeçari tha se ai i kishte thënë kreut të institucionit të futbollit italian se kishte nevojë për qetësi, por nga ky i fundit nuk e kishte pasur.
Kjo ishte arsyeja që ai dha dorëheqjen. Përplasje mes të dyve pati edhe për zhvendosjet e anëtarëve të stafit teknik, Lombardi dhe Evani.
Sipas teknikut, nuk është parë ndonjëherë që një president federate të ndryshojë stafin e trajnerit të kombëtares. Mancini tha se Gravina prej kohësh mendonte ndryshe nga ai, por duhet që ta largonte teknikun dhe jo anëtarët e stafit.
58-vjeçari e bëri të qartë se nuk ka asgjë kundër afrimit të Xhanluixhi Bufonit në përfaqësuese, përkundrazi vetëm vlerësim. Sa i përket interesimit nga Arabia Saudite, ai nuk e mohoi, por theksoi se bëhet fjalë për dy situata të ndryshme.