Inter Miami nuk heq dorë nga Lionel Messi. Skuadra amerikane kërkon që të josh sa më shpejt të jetë e mundur kampionin e ri të Botës, pavarësisht përpjekjeve të PSG-së për të rinovuar kontratën e 35-vjeçarit edhe për një sezon. Sipas asaj që raportojnë mediat amerikane, dyshja e pronarëve të Miami, Jorge Mas dhe David Beckham udhëtuan drejt Katarit për të pasur takime sekrete me Lionel Messin. Nuk ka të dhëna nëse mes palëve ka pasur një bisedë kokë më kokë, megjithatë, në Florida janë të bindur se 35-vjeçari do të heqë dorë nga futbollit Europian për të vijuar karrierën përtej Oqeanit.
Inter Miami është në kërkim të një sulmuesi të ri pas pensionimit të Gonzalo Higuain dhe mundësia për t’u transferuar në MLS po konsiderohet me pozitivitet nga ana e Messit. Argjentinasi ka më pak se gjashtë muaj nga përfundimi i kontratës me PSG-në dhe është gati për të nisur një etapë të re në karrierën e tij. Në Francë pranohet se mes palëve ka një marrëveshje verbale për të mbyllur marrëveshjen dhe për ta konfirmuar Messin akoma dhe më gjatë në Paris. Gjithsesi, mbeten ende për t’u përcaktuar detajet, që sigurojnë se nënshkrimi mund të bëhet para fundit të janarit./ Klan News