E gjithë Europa është përfshirë nga i ftohti polar që ka shkaktuar erë të fortë, reshje të shumta dëbore si dhe temperatura që shkojnë në minus.
Fqinji ynë Greqia ka pasur reshje të shumta dëbore dhe shumë prej rrugëve kryesore të vendit kanë ngrirë duke shkaktuar aksidente të shumta. Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e shkollave dhe dyqaneve dhe kanë këshilluar banorët që të rrinë brenda shtëpive të tyre. Moti i keq ka kapluar edhe Italinë ku temperaturat kanë shkuar në minus në zonat veriore por edhe në ato qendrore.
Erërat e forta dhe stuhitë e borës shkaktuan ndërprerje të trafikut edhe në Sllovaki ku era ka arritur deri në 120 km në orë. Në Republikën Çeke, 15 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike pasi erërat e forta rrëzuan pemë dhe ndërprenë rrjetin, ndërsa dhjetëra shërbime treni u anuluan.