A keni menduar ndonjëherë se sa e pastër është dhoma e hotelit që keni rezervuar për të kaluar pushimet tuaja? Nga telekomanda e televizorit ose e kondicionerit deri te dysheku i krevatit, mikrobet mund të fshihen edhe në vendet më të vështira ku mendja dhe syri juaj nuk mund të shkojnë.
Edhe dhomat më të shtrenjta nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull në shumë raste. Në fund të fundit, fakti që një dhomë duket e pastër dhe ka erë të këndshme nuk do të thotë domosdoshmërisht se është vërtet e pastër, nëse, për shembull, vendosim sipërfaqe të caktuara nën mikroskop. Dr Primrose Freestone, pedagoge e mikrobiologjisë klinike në Universitetin e Leicester -it thekson në artikullin e saj në “The Conversation” se ku gjenden shumica e mikrobeve në një hotel, por edhe si të qëndrojmë të mbrojtur.
Kujdes në ambientet e përbashkëta
Para se të hyjmë në dhomë, duhet të kemi kujdes me butonat që do të shtypim në ashensor, pasi ato janë vatra mikrobesh. E njëjta gjë vlen edhe për dorezat e dyerve të përbashkëta. Infeksionet më të zakonshme të shkaktuara nga dhomat e hoteleve janë kryesisht ato që shkaktojnë diarre dhe të vjella, së bashku me viruset e frymëmarrjes si ftohja dhe pneumonia.
Çfarë duhet të keni kujdes në dhomë
Sado paradoksale të tingëllojë, tualeti është pjesa e një dhome hoteli që pastrohet më mirë se pjesa tjetër e dhomës. Megjithatë, vende të tilla si doreza e derës ose gotat nuk pastrohen aq mirë, duke rezultuar në grumbullimin e mikroorganizmave patogjenë.
Sa i përket zonave kryesore të akomodimit, krevati, çarçafët dhe jastëkët mund të strehojnë mysafirë të padëshiruar. Një studim i vitit 2020 zbuloi se pasi një pacient me infeksion para-simptomatik COVID-19 qëndroi në një dhomë hoteli, kishte përhapje të konsiderueshme të virusit në shumë sipërfaqe, me nivele veçanërisht të larta në çarçafë, këllëf jastëku dhe mbulesa krevatesh.
Së fundi, jastëkët dekorativë, karriget, perdet janë gjithashtu të vështira për t’u pastruar dhe nuk mund të dezinfektohen, kështu që larja e duarve pasi t’i prekni mund të jetë një ide e mirë.
Për të gjitha sa më sipër, sigurohuni që të jeni të kujdesshëm me pastrimin e shpeshtë të duarve, si dhe të ecni gjithmonë nëpër dhomë me pantofla ose çorape të trasha, duke shmangur shkeljen në tapet.