Votimi i një jurie të madhe në Manhatan ka hapur dritën jeshile për ngritjen e një padie ndaj Donald Trump. Ish-presidenti përballet me akuza që kanë të bëjnë me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë lidhur me pretendimet për marrëdhënie jashtëmartesore.
Republikani Donald Trump, i cili po kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, tha përmes një deklaratë në rrjetin e tij “Truth Social” se: “Ky është një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”.
Ky është rasti i parë ndonjëherë i ngritjes së akuzave penale ndaj një ish-presidenti amerikan dhe një goditje ndaj përpjekjeve të zotit Trump për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.
Hetimi i prokurorit u përqendrua tek paratë e paguara aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modeles së revistës “Playboy” Karen McDougal, për të cilat ai druhej se do t’i shprehnin publikisht pretendimet se kishin pasur marrëdhënien intime me të.