Zyrtarizimi i kalimit të Lewis Hamilton tek Ferrari në vitin 2025 është lajmi më i bujshëm sportiv që ka eklipsuar edhe ditën e fundit të merkatos së futbollit. 7 herë kampioni i botës në Formula 1 vendosi të largohej nga Mercedes me të cilën garon që nga viti 2013. Piloti britanik aktivizoi një klauzolë të marrëveshjes mes palëve për të mbyllur në fund të këtij edicioni kontratën që kishte me këtë skuadër.
Kalimi i Hamilton tek Ferrari është konfirmuar zyrtarisht nga skuderia italiane.
“Skuadra Ferrari është e lumtur të njoftojë se Luis Hamilton do të bashkohet me ekipin në vitin 2025 me një kontratë shumëvjeçare”, thuhet në postimin zyrtar të kokëkuqes.
Piloti 39-vjeçar do të marrë vendin e Carlos Sainz. Piloti spanjoll konfirmoi se palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin pas këtij sezoni. Hamilton do të bashkohet me Sharl Leklerk, që një javë më parë njoftoi rinovimin me Ferrarin.
Kalimi i Hamiltonit te skuderia italiane mund të quhet edhe një takim me historinë, pasi piloti që ka fituar më shumë herë Formulën 1, plot 7 herë, po aq sa legjenda gjermane Michael Schumacher, tashmë do të garojë për skuadrën historike të garave të shpejtësisë.
“Kokëkuqja” nuk e ka fituar titullin kampion që nga viti 2007, kur e arriti me Kimi Raikonen, ndërsa titulli i fundit i konstruktorëve u mor 1 vit më pas. Tashmë Ferrari synon që falë eksperiencës së Hamilton te rikthehet në majën e Formula 1.