Grupi rebel Houthi ka kryer sërish sulme ndaj anijeve amerikane duke përshkallëzuar edhe më tej tensionet. Mediat ndërkombëtare raportojnë se 12 persona u vranë dhe 75 u plagosën kur një objekt i OKB-së që strehonte civilë u godit në Khan Younis në Gazën jugore. OKB dënoi sulmet duke e cilësuar si mospërfillje e hapur ndaj rregullave bazë të luftës.
Ushtria izraelite përjashtoi mundësinë se incidenti ishte rezultat i një sulmi ajror ose artilerie nga forcat e saj. Forcat izraelite shkatërruan gjithashtu qindra ndërtesa pranë gardhit të saj me Gazën.
“Situata në Khan Younis nënvizon një dështim të vazhdueshëm për të mbështetur parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kjo është e papranueshme dhe e neveritshme dhe duhet të ndalet”, informoi Thomas White, një zyrtar i OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Në Tel Aviv, qindra demonstrues mbanin pankarta ku thuhej “Stop gjakderdhjes” dhe bllokuan një rrugë gjatë një proteste për të kërkuar një marrëveshje për lirimin e robërve të mbajtur në Gaza.