Një person humbi jetën dhe tetë të tjerë janë lënduar nga shembja e urës në hyrje të qytetit Patra në Greqi. Raportohet se katër prej të plagosurve ndodhen në spital në gjendje të rëndë.
Autoritetet kishin lajmëruar shembjen e kontrolluar të një seksioni të urës, por gjatë këtij procesi mësohet se poshtë nyjës lidhëse kishte të paktën gjashtë persona. Bëhet fjalë për romë që kishin shkuar për të mbledhur metale.
Ura ka shfaqur probleme strukturore që në vitin 2021 dhe që atëherë u vendos riparimi i saj. Seksioni i shembur i urës është mbyllur që prej datës 20 korrik.
Aksidenti me një viktimë ndërpreu trafikun në drejtim të Athinës. Në operacionin e kërkim shpëtimit u përfshinë 35 zjarrfikës me 12 automjete, dronë dhe mjete speciale dhe dy qen shpëtimi.