Në një shoqëri ku trupi i gruas nga një pjesë e madhe e burrave shikohet si territor për luftë të përgjakshme, vrasja është, fatkeqësisht, konsekuencë e pritshme. Në një shoqëri ku dhuna e terrori psikik ndaj grave «mbahen» e «ruhen» brenda «mureve» private, vrasja vjen si një pasojë e pashmangshme kulturore.
Çfarë ka lëshuar rrënjë si kulturë primitive prej shekujsh, zor të shembet brenda pak kohe, sado e dëshirueshme të jetë. Por kriminelëve mund t’u pamundësohet zeja e vrasjes duke krijuar hapësira dhe institucione që i mbrojnë gratë. Duke hapur shtëpi të sigurta për gratë. Duke krijuar njësi policore të specializuara për reagim të shpejtë pas çdo kërcënimi ndaj grave.
Duke mundësuar barazinë e grave në çdo sferë. Duke ndërtuar një sistem gjyqësor që e merr seriozisht çdo kërcënim ndaj grave. Duke e detabuizuar dhunën ndaj grave. Duke diskutuar e folur hapur për të metat, gabimet dhe leksionet që duhet nxjerrë si shoqëri pas çdo krimi ndaj grave. Vrasja e grave nuk është tragjedi familjare, por tragjedi e krejt shoqërisë.
Vrasja e grave nuk është vrasje për shkak të «problemeve» apo «xhelozisë». Gratë vriten sepse janë gra. Kësaj i thonë femicid. Kosovës i duhet një kryengritje kundër kësaj dhune specifike dhe toksike ndaj grave. Po, kryengritje sepse kjo dhunë ka potencial të lë pasoja afatgjata dhe të pariparueshme ndaj krejt shoqërisë./ Enver Robelli