Një 21-vjeçare nga Maqedonia e Veriut, është arrestuar në Mykonos si pjesë e një organizate kriminale të trafikut të kokainës. Sipas mediave greke, e reja është vajza e një politikani në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka zbuluar emër.
Në pranga janë gjithashtu edhe 3 persona të tjerë. Mes tyre ishte dhe një DJ i njohur libanez. Të katërt personat, kishin ardhur në ishullin grek dhe ishin të kamufluar si punonjës sezonalë nëpër hotelet luksoze.
Grupi kriminal drejtohej nga një 34-vjeçar i cili bënte të mundur transportimin e kokainës nga Shkupi në drejtim të Greqisë. Ndërkohë, bashkëpunëtorët e tij kishin për detyrë të ruanin drogën dhe ta shpërndanin. Sipas mediave greke, në këtë moment futej në rol vajza e politikanit maqedonas dhe DJ libanez.
Përmes njohjeve të shumta, ajo së bashku me DJ siguronin klientët tek të cilët do shpërndanin kokainën. Ata kishin planifikuar që të largoheshin nga Mykonos ditën e djeshme, ndaj policia u vendos në lëvizje për t’i arrestuar.