Një ish- ushtarak i Wehrmacht-it (njësi ushtarke naziste), i cili drejtonte kullat e vrojtimit në një kamp të burgosurish lufte në Luftën e Dytë Botërore, është paditur nga prokurët gjermanë. Ky mund të jetë fillimi i një serie të re ndjekjesh penale për krimet e luftës naziste, pasi fokusi ka qenë më parë në kampet e përqendrimit.
Prokuroria e Berlinit ka akuzuar 98-vjeçarin nga Berlini për bashkëpunim të dyshuar në vrasjen e të burgosurve sovjetikë në kampin e të burgosurve “Stalag 365”, në qytetin Volodymyr-Volynskyy, në atë që tani është Ukraina perëndimore.
Sipas aktakuzës, 98-vjeçari ka shërbyer në këtë kamp nga nëntori i vitit 1942 deri në mars 1943, ndërkohë që vetëm gjatë një viti që ky persona ka qenë në detyrë, kanë humbur jetën të paktën 809 të burgosur sovjetikë nga kequshqyerja, sëmundjet, puna e detyruar dhe mungesa e kujdesit mjekësor.
“Ai akuzohet se ka qenë i vetëdijshëm për privimin dhe urinë e robërve të luftës dhe në këtë mënyrë e ka pranuar fajësinë. Është ndryshe nga rastet e tjera, sepse ata gjithmonë kanë të bëjnë me kampet e përqendrimit”, ka deklaruar për “The Times” një zëdhënëse e gjykatës penale në Berlin.
Prokuroria ka përmendur “mizorinë”, si një nga faktorët që kanë ndikuar në vdekjen e kaq shumë të burgosurve. Gjykata i ka kërkuar prokurorisë të japë informacione të mëtejshme dhe ende nuk dihet nëse i pandehuri do të dalë në gjyq.
Nëse merret vendimi që 98-vjeçari të dalë në gjyq, kjo do të kthente vëmendjen në vdekjen e më shumë se tre milionë të burgosurve sovjetikë nga duart e robëruesve të tyre gjermanë. Kjo do të nxirrte në pah edhe se nuk ishin vetëm nazistët fanatikë ata që kryenin krime gjatë Luftës së Dytë Botërore, por se ato kryheshin edhe nga ushtarët e thjeshtë.
Kjo mbetet një burim polemikash në Gjermani, sepse përkthehet në faktin që çdo familje gjermane do të ketë të paktën një kriminel të mundshëm lufte në gjirin e saj.
Aktakuza vjen pas një vendimi historik kundër John Demjanjuk, një ish-roje i kampit të shfarosjes i dënuar në vitin 2011, i cili krijoi një precedent për gjykatat për të dënuar personelin e rangut më të ulët – edhe ata që nuk i kryejnë fizikisht krimet – me arsyetimin se thjesht prania e tyre në kampe ku ndodheshin vrasjet sistematike mjaftonte për t’i bërë ata pjesë të krimeve.
“Do të ishte tashmë një hap i madh nëse gjykata do ta pranonte aktakuzën,” tha për The Times Thomas Will, kreu i Zyrës Qendrore Administratave Shtetërore të Drejtësisë për Hetimin e Krimeve Nacional Socialiste në Ludwigsburg .
“Kampet e të burgosurve të luftës shkuan absolutisht në të njëjtin drejtim si kampet e përqendrimit. Fakti është se në kampet e të burgosurve të luftës, veçanërisht ato me robërit e luftës sovjetike, kushtet ishin katastrofike dhe mund të flitet edhe për vrasje sistematike për shkak të kushteve të tmerrshme atje. Në disa raste, të burgosurit ishin të ekspozuar ndaj motit dhe të ftohtit në një livadh të rrethuar pa strehim ose veshje të përshtatshme”, u shpreh ai, teksa shtoi se kampet e përqendrimit nuk drejtoheshin vetëm nga anëtarët e SS, por edhe nga trupat e Wehrmacht, veçanërisht personeli i marinës dhe i forcave ajrore të liruar për shkak të mungesës së pajisjeve.
“Për ne, nuk është çështja nëse dikush i përkiste SS-së apo Wehrmacht-it, por se ku ishte dhe çfarë bëri atje. Ne nuk bëjmë dallime të tilla”, tha Willi.
Willi tha se edhe të tjerë persona, që kanë shërbyer si roje të të burgosurve mund të ndiqen penalisht, por nuk kishte gjasa të kishte një “përmbytje” të rasteve sepse shumë roje ose kanë ndërruar jetë ose janë shumë të vjetër tashmë për tu dënuar. Gjatë luftës, personat që shërbenin në kampe, ishin ushtarë të moshuar ose me aftësi të kufizuara që nuk konsideroheshin të përshtatshëm për detyrën luftarake.
Gjykatat gjermane aktualisht janë duke ndjekur proceset për gjashtë ish ushtarakë të kohës naziste, përfshirë ish-stafin e kampeve të përqendrimit në Buchenwald, Ravensbrück, Sachsenhausen dhe Neuengamme. Tri raste të tjera janë duke u shqyrtuar nga Zyra Qendrore, por nuk është e qartë nëse ato do të ndiqen deri në fund.