Barazimi në limitet e kohës së rregullt ndaj Spanjës mund të rezultojë të jetë shkëndija që i nevojitet Gjermanisë për tu kualifikuar në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Goli i Fullkrug në minutën e 83-të mban gjallë shpresat e “pancerave” për të avancuar në turin tjetër, teksa tashmë është e detyruar të fitojë në duelin e fundit kundër Kosta Rikës.
“Spanja luajti futboll të mirë, por skuadrat ishin të barabarta. Kishim një shans të madh për të fituar në fundin e sfidës, megjithatë shpërdoruam. Ekipi luftoi shumë dhe unë jam shumë i kënaqur me mentalitetin e tyre. Këto janë ata gjëra që duhet të bëjmë dhe në fakt, hapin e parë e kemi kryer. Është ende larg për të menduar për Kosta Rikën. Duhet të krijojmë vetëbesim’’, tha trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick.
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique pranoi se dështimi për të marrë 3 pikët ka lënë shije jo të mirë tek ai dhe skuadra.
“Është për të ardhur keq që humbëm mundësinë për të fituar. Mendoj se klasifikimi na gëzon dhe na shtyn që të japim maksimumin në ndeshjen e radhës. Ajo që do t’ju siguroj është se ne do të garojmë, do të luajmë për të fituar ndeshjen dhe nuk do spekulojmë me rezultatin. Do luajnë lojtarët më të mirë, këtë ua siguroj dhe do të shohim më pas rezultatin dhe klasifikimin’’, tha Luis Enrique.
Grupi E kryesohet nga Spanja me 4 pikë, ndjekur më pas nga Japonia dhe Kosta Rika me 3, ndërsa mbyll klasifikimin Gjermania me 1 pikë të grumbulluar. Duelet e radhës janë ata mes Spanjës dhe Japonisë, teksa Kosta Rika do tentojë surprizën e radhës kundër Gjermanisë./ Klan News