Gianni Infantino u rizgjodh president i FIFA-s edhe për katër vite të tjera. Italo-zvicerani u konfirmua në kongresin e 73 të FIFA që u mbajt në Kigali të Ruandas. Rizgjedhja e Infantinos ishte një formalitet pasi ai nuk kishte kundër asnjë kandidat tjetër.
52-vjeçari ka pasur edhe kundërshti nga një pjesë e federatave europiane, pasi propozoi që Kupa e Botës të zhvillohej çdo dy vite.
Pas marrjes së mandatit të tretë Infantino përshëndeti delegatët.
“Më lejoni thjesht t’ju falënderoj të gjithëve! Ata që më duan, E ju jeni të shumtë dhe ata pak që më urrejnë! Unë ju dua që të gjithëve. Të jesh president i FIFA-s është një nder dhe privilegj i madh, por gjithashtu edhe një përgjegjësi e madhe. Ju mund të vazhdoni të besoni në angazhimin tim’’, u shpreh ai.
Risia që italo-zvicerani ka sjellë në Kupën e Botës për meshkuj, është pjesëmarrja nga 32 ekipe në 48 për edicionin e ardhshëm në Amerikën e Veriut në 2026.
Ndërsa Kupa e Botës për femra në Australi dhe Zelandën e Re këtë vit do të ketë 32 kombëtare. Infantino njoftoi të ardhura me vlerë 11 miliardë dollarë për katër vitet e ardhshme.