Sot 8 marsi! Gjithmonë më ka munduar pyetja se për çfarë festojnë gratë dhe vajzat shqiptare?
Për çfarë festojmë kur shumica prej nesh nuk e ka ngritur zërin sa herë ka parë një padrejtësi apo i është cenuar e drejta? Për çfarë, kur sa herë i ndodh një femre tjetër diçka jemi ne të parat që mund të paragjykojmë, shtyjmë, nënçmojmë dhe falenderojmë Zotin që nuk jemi ne në vendin e tyre. E teksa mendojmë këtë të fundit, harrojmë se shumë shpejt diçka e tillë mund të na ndodhë edhe neve.
Ne nuk ngremë zërin kur dikush përdhunohet, vritet apo keqtrajtohet. Ne, jemi ato që i shohim gjërat të ndodhin përmes televizorit apo edhe ekranit të telefonit tonë. Dhe gjithë kjo ndodh sepse ne, gratë dhe vajzat, nuk e kemi ushqyer veten me mendimin se festë duhet ta kemi çdo ditë. E nëse nuk e kemi këtë festë, duhet ta krijojmë vetë, për veten dhe për gratë e tjera si ne.
Ne, mund të festojmë çdo ditë nëse kemi një shkollë, profesion dhe të jemi te pavarura. Që atë lulen që presim më datë 8 mars të mund t’ia blejmë edhe vetes në fund të fundit.
Ne, që jemi filizi i jetës, që japim jetë dhe rrisim jetë duhet të dimë edhe t’i rrisim të vegjlit tanë djem me këtë mendim. Unë dhe ti mund të bëjmë një nënë tjetër të lumtur nëse unë dhe ti edukojmë fëmijën tonë, e ky i fundit do të marrë vajzën e një nëne. E zgjedh ti nëse ajo do të festojë 8 marsin apo jo.
8 mars duhet të jetë çdo ditë teksa ti shikon djalin tënd duke i dhënë një përqafim motrës së saj, gjyshes, hallës, tezes e çdo qenie që nuk është fiziologjikisht i njëjtë me të.
Nuk e di sa prej jush kanë sot arsye të festojnë, por jam e sigurt që fëmijët e shumë prej atyre grave që janë vrarë, nuk kanë sot kujt t’i dërgojnë një lule, nuk kanë kujt t’i japin një puthje dhe kjo e gjitha nga gjinia jonë e kundërt. Sot të mendojmë për Xhuljana Topallin, Fatime Sulin, Valdete Mamajn, Fatmira dhe Bukurie Bamin, Merushe Hazizin, Jetlira Elezin, Jonada Avdiajn, Vitore Pacukun, Nora Muskurtin, Zeqine Sinani, Etleva Kurtin, Mevlute Hysën dhe Hasime Dafkun, gra të cilat janë vrarë nga janari i 2022 deri sot, 8 mars 2023. Këto gra, fatkeqësisht janë martuar me burra që nuk kanë pasur një nënë si unë dhe si ti që duam t’i rrënjosim në mendje djalit tonë se vajza është filiza e jetës dhe do dashuri e paqe çdo ditë. Secila nga ne mund të këtë fatin të këtë një burrë të sjellshëm dhe të edukuar në krah që e plotëson si grua, por të festuarit çdo ditë si qenie njerëzore dhe si qenie e gjallë e zgjedhim ne.
Çfarë nëse 8 marsi nuk do të ekzistonte si datë? A thua kurrë nuk do kishim festë? Ne, gratë e këtij vendi, presim datat e caktuara për të festuar. 14 shkurtin për të festuar dashurinë, 7 marsin për të përgëzuar punën, 8 marsin për t’u ndjerë grua.
Pas këtyre që listova, sa prej jush duan të festojnë? Sa prej jush ziheni me djemtë tuaj, burrat tuaj, baballarët tuaj, vëllezërit tuaj dhe dita e sotme për ju është vetëm fasadë dhe shtirje, që kur te pyesin çfarë ju dhuruan të keni një dhuratë për të treguar. Shumë apo jo? Dhe kjo sepse ata, gjinia jonë e kundërt, nuk kanë pasur një nënë siç duam të jemi unë dhe ti, që të edukojmë djalin tonë me mirësjellje dhe përulësi. Që duam t’i mësojmë se forca ndaj një femre nuk është forcë por burracakëri.
Ti zgjedh nëse do të festosh çdo ditë apo vetëm për 8 mars. Nëse dëshiron të të gëzohet zemra çdo ditë apo vetëm për 8 mars. Bëji një të mirë vetes dhe grave të tjera. Edukoje djalin tënd siç do doje të të trajtonte ty babai, burri apo vëllai. Gëzuar 8-marsin, në mundsh!/ Klara Murra