Real Madrid ka si objektiv që të bëjë dy goditje të mëdha në verën e ardhshme. I pari është talenti anglez Jude Bellingham, ndërsa i dyti është gjeorgjiani Kvara.
“Galaktikët” duan që të shpenzojnë në merkaton e radhës dhe e kanë kapitalin e nevojshëm, raporton radioja “Cadena Ser”.
Bellingam ndiqet prej kohësh nga “Los Blankos”. Dëshira e Borussia Dortmund është që ta mbajë 19-vjeçarin, por e di se do ta ketë të vështirë, nisur nga interesimi i disa klubeve të mëdha të Europës.
Verdhezinjtë e vlerësojnë anglezin 170 milionë euro, një shifër mjaft e lartë kjo, por që madrilenët mund ta përballojnë. Bellingam ka realizuar 10 gola në të gjitha kompeticionet në këtë sezon, ndërsa kontrata i përfundon në 2025.
Ndërsa Kvara konsiderohet si xhevahiri i Napolit, që bashkë me sulmuesin Victor Osimhen, po çojnë “të kaltrit” drejt titullit kampion në këtë sezon.
Në Serie A, 22-vjeçari ka realizuar 9 gola dhe 11 asite në 18 takime. Ai ka fituar zemrat e tifozëve, ndërsa presidenti De Laurentis e ka bërë të qartë se do të jetë shumë e vështirë që ta shesë yllin e ekipit. Realit do t’i duhen të paktën 100 milionë euro për të marrë kartonin e futbollistit.