Një zjarr i madh që ka rënë në La Palma të Ishujve Kanarie nxiti evakuimin e mijëra banorëve. Mediat raportojnë se zjarri ka dalë nga kontrolli dhe flakët deri më tani kanë djegur një sipërfaqe prej 11.100 hektarësh dhe dhjetëra banesa.
Rreth 400 trupa nga agjenci të ndryshme të emergjencave ndodhen në terren në përpjekje për të shuar flakët. Përveç problemit jetik që është ajo e shuarjes së zjarrit, autoritetet po përballen edhe me rezistencën e qytetarëve të cilët refuzojnë që të lënë banesat e tyre. Me anë të forcës deri më tani janë evakuuar 4.200 qytetarë por shumë prej tyre ndodhen ende nëpër banesa.
Zjarri favorizohet edhe nga temperaturat ekstreme të cilat kanë kapluar të gjithë Europën.