Një bazë ushtarake në Irak ka shpërthyer, por shkaku nuk është konfirmuar ende. Raportohen dëme të mëdha materiale si dhe persona të lënduar. Bëhet me dije se një person ka humbur jetën, ndërsa 6 të tjerë nga plagosur.
Dy burime konfirmojnë me siguri se ngjarja ndodhi si pasojë e një sulmi ajror.
SHBA është distancuar menjëherë nga sulmi, pasi një zyrtar amerikan ka deklaruar se vendi i tij nuk është i përfshirë.
Baza përdoret nga Forcat e Mobilizimit Popullor të Irakut (PMF), një grup prej dhjetëra grupesh të armatosura.
“Një shpërthim ndodhi në selinë e Forcave të Mobilizimit Popullor në bazën ushtarake Kalsu në distriktin al Mashrou në autostradën, në veri të Guvernatorit Babil. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, ku shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale dhe të lënduar. Detajet do t’ju japim pasi të ketë përfunduar hetimi paraprak”, thuhet në njoftimin e bazës.
Pamjet e shpërndara në rrjet, të filmuara nga një makinë në lëvizje tregojnë një zjarr që pasohet nga një shpërthim i madh që duket se lëshon fragmente të ndritshme në ajër.
Baza është përdorur dikur nga forcat amerikane dhe është rreth 50 km në jug të Bagdadit.
Shpërthimi në Irak vjen një ditë pasi Izraeli goditi Iranin.