Një shpërthim i fuqishëm me bombë ka ndodhur në qytetin e Athinës pak pas mesnatës. Mediat vendase raportojnë se shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha materiale teksa në shënjestër ishte Ministria e Punës.
Ngjarja e rëndë u paralajmërua nga dy telefonata në polici. Telefonuesit informuan policinë se afër Ministrisë së Punës do të ndodhte një shpërthim dhe një tjetër në degën e një banke.
Telefonuesit kanë treguar se sulmi i cili fatmirësisht rezultoi pa të lënduar, është organizuar nga organizata “Vetëmbrojtja e Klasës Revolucionare”.
Pas shpërthimit të bombës tek Ministria e Punës, xhenierët shkuan pranë degës së bankës pasi kishte dyshime për një shpërthim të dytë, por nuk u gjet asgjë. Ndërkohë rruga ku ndodhi shpërthimi është bllokuar nga autoritetet dhe po mblidhen prova që mund të çojnë në zbulimin e autorëve.
Ky sulm ndodh 5 vite pas sulmit të fundit terrorist në Greqi.