Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese të martën për të kërkuar një armëpushim humanitar në Gazë, në një tregues të fuqishëm të mbështetjes globale për përfundimin e luftës Izrael-Hamas.
Votimi në organizatën botërore me 193 anëtarë ishte 153 pro armëpushimit, 10 kundër dhe 23 abstenime. Mes vendeve që kërkuan armëpushim është edhe Shqipëria.
Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, tetë vende të tjera e kundërshtuan rezolutën: Austria, Çekia, Guatemala, Liberia, Mikronezia, Nauru, Papua Guinea e Re dhe Paraguaj.
Mbështetja për një rezolutë për armëpushim ishte më e lartë sesa ajo për një rezolutë më 27 tetor që bënte thirrje për një “armëpushim humanitar” ku votimi ishte 120-14 me 45 abstenime.