Kombëtarja shqiptare e futbollit do jetë mes 24 ekipeve që do përballen në fazën finale të Europianit 2024, që do zhvilllohet verën që vjen nga 14 qershori – 14 korrik në Gjermani.
Pas ndeshjeve të fundit, UEFA do zhvillojë në Hamburg hedhjen e shortit për fazën finale më datë 2 dhjetor në orën 18:00. Në po të njëjtën datë do dalin edhe biletat për tifozët që do menaxhohen nga federatat përkatëse në faqe të dedikuara në internet.
Faza e parë e shitjes së biletave nisi këtë tetor për ata që ishin të interesuar, ndërsa pas 2 dhjetorit, kur të mësohen edhe grupet, kundërshtarët dhe qytetet ku do luhen ndeshjet respektive dhe do bëhet edhe shitja e biletave për secilën federatë. Do jenë dhjetë qytete ku do organizohet ky turne verën që vjen. Europiani do zhvillohet në Berlin, Munich, Hamburg, Frankfurt, Stuttgart, Dusseldorf, Cologne, Gelsenkirchen, Leipzig dhe Dortmund.
Çmimet e biletave janë në varësi të ndeshjeve, teksa ndahen edhe sipas sektorëve në stadium. Çmimet variojnë nga 30 euro për ndeshjet e grupeve, e deri në 1000 euro në finale, kjo për kategorinë e parë.
Kujtojmë se në Gjermani do ketë transport publik të dedikuar dhe falas për tifozët që kanë në dispozicion një biletë për në ndeshjet e Euro 2024.
Si funksionon shorti i Euro 2024?
Ekipet do të shpërndahen në një nga katër vazot (1, 2, 3, 4) përpara shortit, në përputhje me rezultatet e tyre në fazën e grupeve kualifikuese. Gjermania mikpritëse është vendosur në vazon 1, por nuk hidhet në short pasi shpërndahet automatikisht në Grupin A. Më pas skuadrat e tjera do jenë në vazot e tjera sipas shortit.
Tre fituesit e mundshëm të play-off-it caktohen në vazon 4.