Çmimi i Madh i Arabisë Saudite ishte nën dominimin e Red Bull. Dy pilotët e skuderisë austriake shfrytëzuan potencialin e njëvendëshes së tyre për të arritur tek suksesi në garën e dytë të Botërorit të Formula 1. Sergio Perez shënoi fitoren e pestë në karrierë në garën më spektakolare, me 33-vjeçarin që mbajti pas krahëve kampionin në fuqi të Botës, Max Verstappen.
Holandezi dhuroi një performancë fenomenale në pistë, pasi rikuperoi 13 pozicione nga nisja, duke u ngjitur në shkallën e dytë të podiumit.
Vetëm vendi i tretë për Fernando Alonson, që e festoi këtë arritje mes shumë polemikash. Spanjolli u penalizua nga zyrtarët për shkelje të rregullave, gjithsesi arriti që të mbaj pas krahëve rivalët. Me këtë pozicion në Arabinë Saudite, 41-vjeçar vendos edhe një rekord. Tashmë, Alonso numëron 100 ngjitje në podium, 32 prej të cilave si triumfator.
Paraqitje të dobët dhuruan makinat Ferrari, me Sainz e Leclerc që e mbyllën garën në vendet 6 dhe 7. Para tyre u renditen makinat Mercedes të Russell e Hamilton. Pas dy garave të para, renditja e pilotëve kryesohet nga Max Verstappen me 44 pikë, ndjekur nga Perez me një pikë më pak dhe Alonso në kuotën e 30 pikëve.