Kampioni i trefishtë i botës, Max Vershtapen mori fitoren e 50-të në karrierën e tij në Formula 1 dhe të 15-tën sezonale në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara. Piloti i Mercedes Ljuis Hemilton u skualifikua nga vendi i dytë nga komisarët e garës për parregullsi në makinë.
Të njëjtin fat pati edhe piloti i Ferrari-t Sharls Lekler, i cili e mbylli garën në vend të gjashtë.
Vendimet e komisarëve bënë që Lando Noris të ngjitej nga vendi i tretë një pozicion më sipër, e në podium hipi edhe piloti tjetër i “kokëkuqes”, Carlos Sainz.
Fitorja ishte e treta radhazi për Vershtapen në pistën e Austinit. Holandezi barazoi rekordin e vitit të kaluar për gara të fituara, ndërsa kanë ngelur edhe 4 nga fundi i sezonit.
‘Ishte padyshim më e vështirë nga gara sprint e së shtunës. Pata vështirësi me frenat, e kjo nuk ma bëri të lehtë përballjen me pilotët e tjerë. Situata ndërlikohet kur nuk mund të kujdesesh për gomat sidomos gjatë frenimit. Por edhe pilotët e tjerë bënë një garë të fortë, kështu që u mundova disi’, tha piloti i Red Bull, Max Verstappen.
Holandezi e nisi garën nga vendi i gjashtë. Në dhjetëshen më të mirë e mbylli për herë të parë në këtë sezon edhe Logan Sargeant. Ai është amerikani i parë që hyn në zonën e pikëve që nga viti 1993, kur e arriti Michael Andretti.