Fitorja e Kupës së Botës nga Argjentina u festua anembanë botës nga qindra mijëra tifozë. Në Rio de Zhaneiro, argjentinasit u mblodhën në një bar në plazhin Copacabana për të brohoritur për ekipin e tyre që fitoi në një finale dramatike.
Edhe në Sao Paulo, ishin të shumtë tifozët që shpërthyen në festime të çmendura për suksesin e bardhekaltërve dhe vallëzuan e kënduan.
Ndërkohë, në Florianopolis, një destinacion i preferuar pushimesh për argjentinasit, tifozët dolën në rrugë për të festuar, e me ta u bashkuan edhe fansa brazilianë me fanellat bardhekaltër.
Atmosferë festive pati edhe në Barcelonë, ku me dhjetëra tifozë të amerikano-latinëve ishin mbledhur në “Harkun e Triumfit”. Ata mbanin në në duar flamuj argjentinas, ndërsa hodhën fishekzjarrë.
Në Meksiko Siti, festës argjentinase iu bashkuan edhe tifozë meksikanë, të cilët u mblodhën rreth monumentit të kryeqytetit, “Engjëlli i Pavarësisë”. Entuziazmi ishte i madh te fansat, që iu gëzuan titullit të tretë botëror në histori.
Nuk mund të mungonte festa në Bangladesh, ku me mijëra njerëz mbushën rrugët e kryeqytetit Dhaka për të festuar. Tingujt e vuvuzelave dhe brohoritjet u dëgjuan gjatë gjithë natës.
Në Bangladesh ka një numër të madh fansash bardhekaltër, të cilët e mbështetin kombëtaren amerikano-latine që nga koha e Diego Armando Maradonës.
Me mijëra tifozë u mblodhën edhe në lagjen Liari, në qytetin më të madh të Pakistanit, Karaçi. Kjo lagje njihet si mini-Brazili, por pas eliminimit të ekipit të tyre të zemrës, fansat dolën në shesh për të mbështetur argjentinasit.
Në këtë zonë, e cila është ndër më të varfrat, futbolli është mjaft popullor, e janë me mijëra fëmijët që ëndërrojnë të bëhen si Mesi e Neymar./ Klan News