Bayern Munich mundi Union Berlinin me rezultatin 3-0, duke konfirmuar statusin si favorite për ta fituar titullin kampion. Bavarezët i shkaktuan berlinezëve humbjen e parë të vitit 2023. Si titullar e nisi për kampionët në fuqi edhe Sadio Mane, i cili që nga muaji nëntor kishte shfaqur shqetësime dhe aktivizohej si zëvendësues për shkak të dëmtimit.
Bayern kontrolli lojën në 70% të saj, e në nisje Thomas Muller pati një mundësi të mirë për të shënuar në takimin e tij të 650 me fanellën bavareze. Chupo-Moting kaloi vendasit në avantazh në minutën e 31 të lojës. Nëntë minuta më pas, ishte Koman që solli festën në “Allianz Arena”.
Në shtesën e pjesës së parë, Jamal Musiala ktheu në gol asistin e dytë të Mylerit, duke përcaktuar fatin e ndeshjes. Ky është goli i 11 në Bundesligë i gjermanit, që festoi ditëlindjen e 20 të tij. Në pjesën e dytë, bavarezët menaxhuan rezultatin, por edhe portieri i miqve Ronou tregoi një formë mjaft të mirë.
Union Berlin që kishte fituar pesë nga gjashtë takimet e mëparshme, ngelet në garën për titullin kampion, ndërsa mban vendin e tretë me 43 pikë të grumbullura.