Rie Kudan, 33-vjeçarja që fitoi çmimin më të lartë të Japonisë për letërsinë, pohoi se kishte përdorur ChatGPT për të shkruar një pjesë të librit.
Kudan fitoi këtë javë çmimin prestigjioz Akutagawa për romanin e saj fantastiko-shkencor me titull “Tokyo-to Dojo-to”, i cili përqendrohet në një kullë të lartë burgu dhe përmban tematika që lidhen me Inteligjencën Artificiale. Juria e quajti romanin e Kudan-it “pothuajse të përsosur”.
Ky çmim është më i larti në Japoni për letërsinë dhe u jepet dy herë në vit shkrimtarëve që po dalin në skenë, ndërsa Naoki, një çmim i ngjashëm, u jepet shkrimtarëve të njohur tashmë.
Janë çmime prestigjioze me rëndësi të madhe, dhe fituesit e tyre marrin vëmendje mediatike të jashtëzakonshme.
“Ky është një roman i cili është shkruar duke shfrytëzuar plotësisht Inteligjencën Artificiale ChatGPT, dhe rreth 5 përqind e të gjithë tekstit vjen drejtpërdrejt prej tij”, ka thënë Kudan sipas gazetës japoneze The Japan Times. “Më pëlqen të punoj me këto programe në mënyrë që të shpreh kreativitetin tim”, u shpreh Kudan.
“The Japan Times” raportoi të premten se reagimi në rrjete sociale ishte i shpejtë dhe i ashpër, me shumë komentues që shprehnin shqetësim për të ardhmen e letërsisë nëse Inteligjenca Artificiale lejohet në çmimet e larta.