Zhvillimi i shpejtë teknologjik lehtësoi jetën e secilit prej nesh në punë, në shtëpi, në shkollë, në transport. Pajisjet teknologjike nga celularë e thjeshtë deri tek ata të fundit, kompjuterët, laptopët, Ipad, e kanë bërë më të lehtë komunikimin dhe lundrimin në internet.
Nëse ndalemi tek rrjetet sociale, përpos komunikimin, ato janë kthyer në një biznes të mirë vetjak. Sot Facebook, Instagram dhe platforma të tjera sociale përveçse përdoren si një kanal komunikimi nga njerëzit, shumë biznese i vendosin në funksion të reklamimit të produkteve apo shërbimeve, të cilat më pas përkthehen në të ardhura.
Mirëpo, vrullin më të madh të fitimeve duket se e rrëmbeu në një kohë shumë të shkurtër një aplikacion që dikur, në vendin tonë ishte shumë pak i njohur dhe i përdorur. Bëhet fjalë për TikTok-un, i cili fillimisht nisi si një platformë trendesh dhe videosh që shumë shpejt u bënë virale. Sot, TikTok është një “bankë” fitimi për disa njerëz. Një sfidë në TikTok të mjafton për të fituar shuma të mëdha parash, por edhe në varësi të kundërshtarit apo shokut të skuadrës që zgjedh.
Por si funksionon? Mjafton të hysh live, të gjesh një shok, dy kundërshtarë, starton lojën dhe të gjithë fansat e tu dërgojnë dhurata të cilat përkthehen në lekë. Na pëlqen ose jo njerëzit në TikTok e kanë më të lehtë me një telefon në dorë duke mos u lodhur aspak të fitojnë para më shumë se të tjerët që lodhen duke punuar 8, 9, 10 ose edhe më shumë orë e në fund për ta është një pagë qesharake që nuk u mbulon të gjitha shpenzimet.
Shembujt që sot sjell TikTok-u nuk janë më të mirët për t’u ndjekur, sepse paratë që shumica fitojnë sot nga platforma, vijnë nga shprehi vulgare, kërcënime e sherre që kanë agravuar edhe në jetën reale. Një rrezik për brezin e ri.
Konkretisht, Kozak Braçi nuk ishte një VIP para se të niste fushatën e tij në TikTok. Ai u bë i njohur me video-live-et që përdor e me të cilat ekspozon një fjalor aspak të përshtatshëm për disa mosha. Megjithatë, Kozaku rezulton të jetë një nga personazhet më të ndjekur të TikTok-ut. Ai ka pohuar se ka grumbulluar plot 7 mijë euro në javë dhe se aktualisht para ‘cash’ ka 800 mijë euro. Gati 1 milionë euro pasuri që një njeri me pagë minimale 40 mijë lekë, do ta kishte pamundur për të mbuluar shpenzimet për nevojat bazike e për të kursyer në llogarinë bankare disa para.
Aleks Visha është një tjetër personazh i njohur i TikTok-ut. Përpos sfidave që ai i bën për fitim personal, Visha ka qenë ndër të paktët që ka luajtur në “live” për të ndihmuar persona të sëmurë e që kanë pasur nevojë për para. Edhe Aleksi pohoi në një intervistë se rekordi më i madh që ka fituar ka qenë një sfidë 5 minuta, në të cilën ka grumbulluar 122 mijë dollarë.
Do ta kishim të lehtë të thoshim se u dashka lënë profesioni që na lodh në 6 ditë të javës duke punuar shpesh jo në një punë por në disa, me orar të zgjatur, e që në fund paratë na dalin nga xhepi sa hap e mbyll sytë.
Por, nëse hedhim një vështrim më kritik, sfidat në TikTok përveçse promovojnë sjellje agresive, fjalor banal, frymëzojnë përplasje dhe sherre mes atyre që ndeshen në “live”, nuk e edukojnë veçanërisht brezin e ri, si të fitojnë lekë me djersën e tyre e duke u lodhur.
Shpesh, konfliktet që lindin në rrjete sociale kthehen në rrezik për jetën. Dy javë më parë një 14-vjeçar nga Korça u dhunua barbarisht me shkopa bejsbolli, leva dhe hekur nga disa adoleshentë të tjerë. Dhe i gjithë konflikti kishte nisur për shkak se i lënduari kishte ofenduar një 17-vjeçar me fjalë banale, sherr që vijoi në rrjete sociale dhe që i kushtoi adoleshentit 2 ditë në koma, 4 thika në shpinë dhe dëmtime të rënda në kafkë.
Janë pikërisht këto sfida TikTok-u sidomos, që përcjellin tek të rinjtë mesazhe dhune, banalitete që përkthehen jashtë ekranit të telefonit në sharje, kërcënime, rrahje e deri në rrezik serioz për jetën.
Interneti po na rrëmben thuajse çdo realitet, po e modifikon ndoshta jo në mënyrën më të shëndetshme, por që ka ndikuar në jetën tonë duke transformuar çdo rutinë. Përpos fitimit të të ardhurave, që po zbehin mundin dhe djersën e punëtorëve që përfundojnë një shkollë e më pas punësohen për të punuar për 40 mijë lekë në muaj (kur në TikTok të tjerët grumbullojnë shumëfish në 5 minuta), serioz është edhe mesazhi që personazhet e rrjeteve sociale po japin për të rinjtë.
Për ata adoleshentë, mosha e të cilëve është delikate, kujdesi i prindërve duhet të jetë më i shtuar. Në të kundërt, nuk do të arrijmë dot të mësojmë fëmijët se ato veprime që sot i shohim me trimëri si “hakmarrje” për një sharje e ofendim në Instagram e TikTok, do të jenë pasojë që mund t’iu kushtojë jetën.