Skandali financiar i Romës dhe Lazios është vetëm në fillimin e saj, por deri më tani hetimet kanë zbardhur disa detaje tepër interesante. Për momentin janë sekuestruar rreth 10 kompjuterë dhe 15 aparatë celularë, të cilët duket se janë përdorur nga drejtuesit për të manipuluar shifrat e transferimeve të futbollistëve. Nga viti 2017 deri në 2021, dy klubet kanë kryer rreth 18 transaksione të dyshimta në merkato, 11 nga ana e Romës dhe 7 nga Lazio, teksa nën hetim janë në total 16 zyrtarë nga të dy klubet. I përfshirë në këtë hetim është drejtori sportiv i klubit të Lazios, Igli Tare, ndërsa në lupë ka përfunduar edhe kalimi i Marash Kumbullës nga Verona te Roma.
Sipas mediave italiane, hipotezat e mbivlerësimit luhaten mes 30 dhe 50%. Gjatë katër sezoneve të fundit, Roma ka bërë operacione transferimi lojtarësh me klubet italiane si Sassuolo, Atalanta, Juventus dhe Verona. Verdhekuqtë dyshohet se kanë përfituar rreth 42.5 milionë euro nga ky skandal financiar. Teksa tek Lazio, Lotito ka menduar për të qetësuar skuadrën. Presidenti bardhekaltër takoi në seancën stërvitore lojtarët, ndërsa ende mbetet e paqartë shifra që klubi mund të ketë përfituar nga këto transaksione.