Gjermania do të jetë padyshim epiqendra e festës nga 14 qershori deri më 14 korrik. Vendi organizator i kampionatit Europian parashikohet të mirëpresë miliona tifozë të cilët do të mbështesin nga afër një prej 24 kombëtarëve të kualifikuara. Fluksi i lartë parashikohet të shkaktojë jo pak probleme në vend, ku konsumimi i pijeve alkoolike është ajo që tremb policinë gjermane.
Frika lidhet me tifozët britanikë, të cilët janë paralajmëruar se birra në Gjermani ka më shumë përqindje alkooli se zakonisht. Për këtë fakt, mbështetës të kombëtares së Anglisë dhe Skocisë mund të humbasin edhe mundësinë për të hyrë në stadium nëse abuzojnë në këtë aspekt.
Sipas organizatës britanike, birra në Gjermani përllogaritet midis 4.7 dhe 5.4% alkooli, disi më e lartë nga ajo që përdoret në Britani, me rreth 4.4%. Skocia luan ndeshjen hapëse të kampionatit më 14 qershor në Mynih ndaj Gjermanisë, ndërsa dy ditë më vonë zbret Anglia kundër Serbisë në Gelsenkirshen.