Futbollistët kuqezinj kanë festuar fitoren e dytë radhazi në kualifikueset e Euro 2024 kundër Ishuvje Faroe. Në dhomat e zhveshjes ata kanë brohoritur dhe gëzuar për këtë sukses të rëndësishëm që i çon në vendin e dytë në renditjen e Grupit E.
Kuqezinjtë kanë 6 pikë, 1 më pak se sa Republika Çeke kryesuese, e sfida e radhës më 7 shtator në transfertë do të jetë vendimtare për objektivin kualifikim. Trajneri Silvinjo përgëzoi futbollistët dhe ju tha të festonin, sepse e meritonin me paraqitjen e bërë.
‘Punë e mirë! Lojë e mirë! Dua t’ju shoh të gjithëve në sy! E merituat, duhet të kthehemi duke ëndërruar. Duhet të arrijmë edhe shumë më shumë! Tani le të festojmë!”, u shpreh Silvinjo.
Për suksesin e arritur reagoi edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në profilin e tij në Instagram ai shkroi se misioni u përmbush.
Kreu i FSHF falënderoi djemtë e stafin teknik dhe shtoi se për kuqezinjtë nuk ishte aspak e lehtë të merrnin dy fitoret nisur nga fakti se lojtarët vinin pas një sezoni të gjatë dhe impenjative.
Ai shtoi se në shtator Shqipërinë e presin dy sfida të rëndësishsme, ku të gjithë bashkë duhet që të japin maksimumin për të arriturt objektivin, Gjermani 2024.