Evertonit i janë zbritur dy pikë të tjera nga një komision i pavarur për shkak të shkeljes së rregullave financiare të Premier Ligës.
Kjo është hera e dytë që Toffies penalizohen, ndërsa në nëntor ata u ndëshkuan me -10 pikë, që më vonë u reduktua në 6 në Apel. Dënimi bën që Everton, që mposhti Burnley 1-0 në Goodison Park të shtunën, të shkojë nga 29 pikë në 27, dy pikë mbi Nottingham Forest dhe Luton. Ekipi pozicionohet në vend të 16-të në tabelën e Premier League, poshtë Brentford.
Klubi anglez e pranoi se kishte kaluar tavanin e përcaktuar me 16.6 mln paund, e nisur nga kjo komisioni i pavaruar vendosi penalizimin me 2 pikë.
Klubi i Everton në reagimin e tij, informoi se do ta apelonte vendimin. Toffies e bëjnë të qartë se janë të përkushtuar në bashkëpunim me Premier Ligën për çështjet me rregullat financiare, por janë të shqetësuar nga paqëndrueshmëria e komisioneve të ndryshme në lidhje me penalitetet me zbritje pikësh të aplikuara.