Përballja me Rumaninë është mjaft e rëndësishme për vazhdimësinë e kombëtares së Kosovës në kualifikueset e Euro2024. Dardanët janë të dënuar për të marrë pikët e plota në takimin e së premtes në “Fadil Vokrri” për të shpresuar tek një pjesëmarrje në turneun gjerman. Por duket se situata në kampin e trajnerit Giresse nuk është ajo e duhura. Edon Zhegrova ka shtuar ankthin te përfaqësuesja dardane, me sulmuesin që është në dyshim për të zbritur në fushë ndaj rumunëve. Futbollisti i Lille ka pësuar një dëmtim të lehtë, gjithsesi, shanset për të luajtur si titullarë janë të pakta.
Një lajm aspak i mirë për trajnerin francez dhe stafin e tij që duhet të gjejnë zëvendësuesin e Zhegrovës. Alternativë mbetet lojtari i Istanbulspor, Jetmir Topalli, i cili pritet të formojë repartin e sulmit së bashku me Rashicën dhe Vedat Muriqin. Nga lojtari i Mallorcës besohet shumë, duke qenë kërcënimi kryesor për prapavijën rumune. Pas dy dueleve të para, Kosova qëndron në vendin e tretë me dy pikë, për të qenë 4 pikë e distancuar me Rumaninë e vendit të dytë. Dardanët kanë barazuar me Izraelin dhe Andorrën, teksa më 19 qershor sfidojnë Bjellorusinë.