Kombëtarja shqiptare ndodhet në pozicion të mirë në grupin E kualifikues të Euro 2024. Kuqezinjtë gjenden në vendin e dytë pas tre sfidash, ku kanë koleksionuar gjashtë pikë. Ecuri që jep shpresë për kombëtaren e Sylvinhos për të tentuar kualifikimin në turneun madhor të Europës. Në muajin shtator përfaqësuesen tonë e presin dy duele vendimtare, ndaj Republikës Çeke në transfertë dhe Polonisë në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’.
Teste të rëndësishme për kuqezinjtë që duhet të ruajnë pozicionin dhe të marrin pikë të mjaftueshme për të qenë në garë për biletën e kualifikimit. Edhe në muajin tetor, Shqipëria ka një 90 minutësh të vështirë, pasi pret Republikën Çeke në Tiranë, përfaqësuese që aktualisht kryeson grupin me 7 pikë, një më shumë se ne pas tre sfidash.
Llogaritë e kualifikueseve mbyllen në muajin nëntor, kur Shqipëria të sfidojë dy kombëtare që i ka mposhtur, si Moldavia dhe Ishujt Faroe. Pikërisht përballja me Moldavët ka pësuar edhe ndryshime të orarit ku UEFA ka pranuar kërkesën e palës moldave që ndeshja nga ora 20:45 që ishte planifikuar, të luhet në orën 18:00. Shqipëria udhëton drejt Moldavisë më 17 nëntor, teksa do ta mbyllë këtë fushatë kualifikuesesh në shtëpi më 20 nëntor në ora 20:45 përballë Ishujve Faroe.