Florian Marku do të boksojë më 25 gusht në stadiumin “Air Albania”, teksa do të tentojë që të sigurojë një tjetër brez WBC me duelin ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez. Boksieri shqiptar ka publikuar së fundmi çmimet e biletave, teksa pret që stadiumi të mbushet plotësisht për këtë duel të veçantë. Por ai është përballur edhe me ndonjë kritik që i ka cilësuar te shtrenjta biletat të cilat fillonin nga 16 euro.
Marku nuk ka ngurruar të përgjigjet në një postim ku ka bërë të qartë se kostoja e një aktiviteti të këtilla përmasave, ishte shumë e madhe ndërsa çmimet ishin simbolike në krahasim me të, aq më shumë po të llogaritej se ishte eveniment historik për të cilin kishte luftuar shumë që të organizohej në vendin tonë.
“Mos të dukem gjë organizatori Boxxer ose SkySports unë? Unë menaxhohem nga dikush. A mendon se unë i vendos çmimet e biletave ose marr lekët e biletave? Kam bërë luftë për të ardhur këtë verë në Tiranë dhe ishte gati te prisheshe kontrata vetëm e vetëm për të ardhur e për t’u ndeshur në vendin tim! Me gjithë Zemër jam munduar sepse nuk kanë dashur ta bëjnë një organizim të tillë në Shqipëri. Jam munduar me Shpirt mbas 5 vitesh afërsisht të rikthehem në shtëpi. Biletat fillojnë nga 16 euro as ndeshjet e futbollit që zhvillohen çdo javë nuk e kanë atë çmim. Të ishte për mua do doja të ndeshesha para 50.000 Shqiptarëve pa bileta, falas çdo gjë, për një titull Botëror, por më gjeni dikë që e organizon diçka të tillë edhe premtoj që do ndeshem për t’i bërë të gjithë Shqiptarët krenarë nëse: Organizatorët, Stadiumi, Televizionet, Këngëtarët, Ringu, Ndeshjet e tjera, Arbitrat, organizata ËBC që unë do ndeshem, nuk duan pagesë, unë jam i pari që ndeshem edhe do futem në Ring pa asnjë lloj pagese vetëm e vetëm për t’i bërë krenarë të gjithë Shqiptarët kudo që janë neper Botë siç kam bërë kaq vite jashtë vendit tim. Por të flasësh mbas një kompjuteri edhe të qahesh për 16 euro për një ndeshje që s’ka ndodhur kurrë në historinë e Boksit Shqiptar ESHTE TURP”, ishte përgjigja e Florian Markut ndaj komentuesit.