I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kërkoi që qeveria e Kosovës të jetë m pragmatike dhe të ketë një qasje të re mbi dialogun me Serbinë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar tha se Kosova e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë në procesin e dialogut.
Escobar i kërkoi Serbisë të jetë e duruar dhe të mos bëjë asgjë që mund të sjellë destabilizim.
“Ka ardhur koha për një qasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për Qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit pas rundit të fundit të dialogut ishte shumë e qartë.
Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”, tha ai.