Erdhën, hodhën një lopatë, bën foto e batuta dhe ikën. Dikush ua kishte hapur paraprakisht gropat dhe ‘udhëheqja’ sigurisht u mjaftua me një lopatë për ta konsideruar të përfunduar me ‘sukses’ mbjelljen e pemëve me ‘lekët e fushatës’.
Më këtë që bën sot mund të themi se ‘nuk kanë faj’ liderët tanë që nuk mendojnë thuajse fare për fshatin. Mbase e dinë që fermerëve atje në fshat u mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë. As djersë, as mund, as kallo në duart, as një fytyrë e regjur nga dielli apo nga era e fortë… sepse janë këto që mund të përkufizojnë punën e fshatit, por që kryeministri Edi Rama me të tijët u tallën në mënyrën më të turpshme.
Ishte për të qeshur e për të qarë njëkohësisht teksa shihje deputetë e kryebashkiakë që shiten sikur janë “një nga ne” që nuk dinin as të mbanin lopatën. Mjafton kjo për të na treguar se ata nuk na kuptojnë, nuk janë një nga ne, e nuk duhet të presim që të na kuptojnë në hallet tona, e aq më tepër të na i zgjidhin ato.
Ishte e trishtë të shihje se si punonjës të Bashkisë i qëndronin nga pas “të mëdhenjve” për t’ia mbuluar turpin që linin sapo nuk ishin nën dritat e projektorëve të mëdhenj të kamerave apo të “shefit të madh”.
Mjafton kjo panoramë për të na përshkruar si është politika sot, dikush bën punën, terrenin e dikush tjetër merr meritat, lavdërohet e ngrihet në detyrë.