Rafael Nadal u eliminua nga turneu i ‘Australian Open’ në raundin e dytë, i ndikuar edhe nga një dëmtim në kofshë.Kampioni në fuqi e pati të pamundur që t’i bënte ballë amerikanit Mackenzie McDonald, i cili e mposhti 6-4 6-4 7-5 me sete.
Ndërsa përballja mes të dyve u bë mjaft e fortë në setin e dytë, spanjolli ndjeu një dhimbje në kofshën e majtë e në vazhdim u detyrua që të merrte mjekim. Por rivali amerikan vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe për spanjollin ishte e pamundur në të tillë situatë që t’i bënte ballë.
Pas humbjes, bashkëshortja e tij Maria Perejo u pa e trishtuar dhe në lot. Nadal foli për mediat pas eliminimit.
‘Nuk e di se çfarë kam, a është problem në muskuj, apo diçka tjetër. Tani ndiej se nuk lëviz dot. Vendosa vetë të vazhdoja, nuk e pyeta stafin, jam aq i rritur sa të marr vendimet e mia. Nuk doja të largohesha duke u tërhequr. Më mirë një humbje kështu! Nuk kam çfarë them, përveçse të uroj rivalin! Ky është sporti, të bëj më të mirën gjithmonë! Kjo është filozofia e tij’, është shprehur tenisti Rafael Nadal.
22 herë fituesi i Grand Slameve ka humbur shtatë nga nëntë ndeshjet e tij të fundit. Kjo është ecuria më negative e spanjollit në karrierë, e cila krahasohet me fillimin e tij në fushë.
Nadal ka shfaqur probleme të vazhdueshme fizike në vitet e fundit. Që kur ai u tërhoq nga gjysmëfinalja në turneun e shkuar të Wimbledon, nuk ka qenë më i njëjti në performancën e tij. Kjo është hera e gjashtë në karrierën e 36-vjeçarit që detyrohet të tërhiqet nga turneu i “Australian Open” për shkak të lëndimeve.