Një “ekip krizash” do të prezantohet në Oscars të këtij viti për të parandaluar incidentet në skenë, në përgjigje të Will Smith që goditi Chris Rock në skenë vitin e kaluar, raportoi BBC.
Kreu i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, Bill Kramer u tha gazetarëve se njësia e sapoformuar kishte kaluar nëpër shumë skenarë, duke shpresuar të ishte gati “për çdo gjë”.
“Për shkak të vitit të kaluar, ne jemi të hapur për një sërë gjërash që mund të ndodhin në Oscars”, tha Kramer, duke shtuar se “ekipi i krizës do të përgjigjet më shpejt” ndaj incidenteve të mundshme.
Smith e goditi me shuplakë komedianin Rock pasi ky i fundit bëri shaka me gruan e Smith, Jade Pinkett, se nuk kishte flokë, pavarësisht arsyeve të saj shëndetësore. Pasi u kthye në vendin e tij, Will Smith përsëriti disa herë: “Mos e përmend gruan time”.
Akademia më pas e ndaloi Smithin nga të gjitha ngjarjet e saj, përfshirë Çmimet e Akademisë, për 10 vitet e ardhshme.
Smith i kërkoi falje Akademisë dhe Rock-ut dhe njoftoi se do të pranonte çdo sanksion tjetër që Akademia mund të vendosë për shkak të incidentit.