Sot u ndanë çmimet për veprat letrare më të mira, në Panairin e Librit 2023. Ky është edicioni i 26-të i Panairit, i cili po mbahet në Pallatin e Kongreseve. Çmimin për shkrimtarin më të mirë të vitit 2023 e fitoi Mira Meksi për romanin “Parisi vret”
Përkthyes më i mirë i vitit u shpall Ana Kove, ndërsa çmimi për librin më të mirë për fëmijë të vitit 2023 iu dha autores, Rudina Çupi
Çmimet e Panairit të Librit, 2023
Çmimi Shkrimtari më i mirë i vitit 2023 i jepet Mira Meksit, për romanin “Parisi vret”, me këtë motivacion:
Për gërshetimin e erudicionit me hedonizmin, për zhytjen në zgafellet e historisë dhe të psikologjisë; për shkrirjen e fakteve me trillimin; për një këndvështrim tjetër mbi disa tabu me rrënjët në kohën e diktaturës, të cilat ende na shoqërojnë; për lëvrimin elegant të gjuhës.
Çmimi Përkthyesi më i mirë i vitit 2023 i jepet Ana Kove, për romanin “Daullja prej llamarine”, nga Gunter Grass, me këtë motivacion: Për ballafaqimin e denjë me librin kompleks të një autori sfidues; për përcjelljen në shqip të fantazisë së tij të guximshme, të tisit satirik dhe simbolikës… Për pasurimin në mënyrë cilësore të bibliotekës së shqipes me një gur miliar të letërsisë botërore.
Çmimi për veprën më të mirë studimore për vitin 2023, i jepet Thomas Frashërit, për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur” me këtë motivacion:
Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik.
Çmimi për librin më të mirë për fëmijë të vitit 2023 i jepet Rudina Çupit, për librin “Gjyshja me zemrën prej ketri”, me këtë motivacion: Për njohjen e botës fëmijërore, për praninë e elementit bashkëkohor, për gërshetimin e letërsisë me didaktikën.
Çmimi i Ambasadës së Francës në Tiranë për përkthimin më të mirë nga gjuha frënge i jepet Diana Çulit për përkthimin e veprës “Të pandarat” të Simone de Beauvoir, me këtë motivacion: Përmes zgjedhjeve përkthimore, fuqisë së fjalës dhe sintaksës së rrjedhshme, respekton stilin autentik të Simone de Beauvoir duke sjellë një atmosferë njëherësh intime e emocionuese.