Dy javë nga tërmeti në Turqi e Siri, numri i viktimave kap shifrën e 47 mijë viktimave.
Në pjesën më të madhe të zonave të goditura kërkimet janë mbyllur, ndërsa vijojnë vetëm në 15 ndërtesa të Hatajit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken premtoi 100 milionë dollarë të tjera ndihmë pasi vizitoi rajonin e goditur nga katastrofa. Bashkimi Europain ka njoftuar datës 16 mars për mbajtjen e konferencës së donatorëve në ndihmë të Turqisë.
Ngjarja organizohet nga Komisioni Evropian dhe qeveria suedeze që mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 janar.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë mbështetje shtesë për njerëzit në Turqi dhe Siri dhe të përpiqemi sa më shumë që të jetë e mundur t’u lehtësojmë pasojat e tmerrshme të këtij tërmeti,” tha ministri i jashtëm i Suedisë.
Nga ana tjetër, ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare ka mohuar akuzat se ushtarët turq ishin vonuar për t’iu përgjigjur njerëzve të bllokuar nën rrënoja pas tërmeteve të dyfishta që goditën Turqinë jugore më 6 shkurt.
Edhe pse pasgoditjet vazhdojnë, qindra mijëra nxënës i janë kthyer mësimi pas një ndërprerjeje dy-javore për shkak të tërmetit.