Thyerjet dhe grabitjet në shtëpitë e futbollistëve të famshëm duket se po kthehen në një trend të rrezikshëm në Spanjë. Sergio Ramos dhe familja e tij ishin të fundit që e përjetuan këtë, por ata nuk janë të vetmit.
Edhe yje si Cristiano Ronaldo, Sergio Ramos, Alvaro Morata e Karim Benzema janë bërë viktima të grabitjeve në vilat e tyre, ndërsa kanë qenë të angazhuar me skuadrat e tyre.
Në podcastin ‘Sumario Abierto’ për gazetën spanjolle “El Espanol” të gazetarit Carlos Quiez, një prej grabitësve, i cili u prezantua me nofkën “Alberto”, tregon për disa nga grabitjet më të bujshme të emrave të njohur të futbollit spanjoll.
Alberto me origjinë shqiptare, tha se kontrollon një grup prej 100 hajdutësh, të cilët kanë grabitur shtëpitë e emrave si Benzema, Ronaldos dhe Johan Cruyff.
Alberto tregoi se grupi i tij kishte tentuar të vidhte shtëpinë e Cristianos në Madeira, por nuk e joshi ajo çfarë kishte aty. Në vitin 2012, hyri në shtëpinë e ikonë katalanase Johan Cruyff, pa e ditur se ishte e tija dhe doli prej aty me vetëm 20.000 euro sende të vjedhura.
Alberto rrëfeu se si iu shmang tundimit për të vjedhur shtëpinë e tetë herë fituesit të “Topit të Artë”, Lionel Messi.
Kreu i bandës së grabitësve tha se nuk e realizoi goditjen sepse kishte shumë respekt për të. Madje, Alberto pohoi se ka ndaluar grabitës të tjerë që të grabisnin rezidencën e yllit argjentinas.